Të dashur bashkëluftëtarë dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Sot, në Ditën e Veteranëve, kujtojmë dhe nderojmë një periudhë të jashtëzakonshme të jetëve tona, një kohë kur u përballëm me errësirën dhe peshën e një armiku me regjim totalitar që na mohoi lirinë dhe dinjitetin si popull. Në ato ditë të pamundura, pa mjete të mjaftueshme dhe shpeshherë pa përkrahjen e duhur të brendshme e të jashtme, ne qëndruam të pathyeshëm.
Ishim vetëm, por kurrë të dorëzuar. Në ato ditë kur rreziku ishte në çdo hap dhe humbja na shoqëronte kudo, ne treguam se liria ka një çmim të shtrenjtë. Sakrifica jonë, dhimbjet dhe humbjet që bartëm, u bënë themelet e shtetit të lirë që gëzojmë sot.
Krenaria jonë gjatë luftës dhe pas saj është e përjetshme. Ajo qëndron në çdo zemër shqiptare, në çdo fëmijë që rritet i lirë dhe në çdo flamur që valëvitet me krenari. Ne nuk luftuam vetëm për të mbijetuar, por për të krijuar një të ardhme ku dinjiteti dhe liria jonë të jenë të pacenueshme.
Sot, si njëri prej jush, që dikur në moshë të njomë mbajta armën përkrah jush dhe sot përpiqem të kontribuoj për të ardhmen tonë, ndiej një përgjegjësi të madhe dhe një nder të veçantë të jem pjesë e kësaj historie të lavdishme.
Lavdi atyre që ranë për lirinë! Respekt dhe mirënjohje të përjetshme për ju që vazhdoni të qëndroni krenarë dhe të pathyeshëm si dëshmitarë të asaj kohe të lavdishme!
Gjithmonë me ju dhe për ju, për një të ardhme më të ndritur për Kosovën tonë.
Me resepekt, i juaji Fatmir Smajli!