Mirëmbrëma Gjakovë, Gjakovë e kuqe, e skuqur në çdo fazë të historisë nga gjaku i derdhur për atdhe
Të dashur vëllezër dhe motra të Gjakovës,
Sonte, nuk jemi mbledhur thjesht për një hapje fushate. Jemi këtu për të shënuar fillimin e një rrugëtimi historik që do ta rikthejë dinjitetin e familjes, zhvillimin dhe drejtësinë për të cilën kemi luftuar brez pas brezi.
Nisëm si grup i vogël, por për një kauzë të madhe që u përket të gjithëve, një kauzë që deri dje dukej e pamundur për tu shtyrë, sot deshti Zoti që aleat të saj të bëhen njerëzit e vendet më të fuqishme të botës.
Të nderuar, situata para nesh është serioze, reflektoni se si një udhëzim ministri që hiqet e vendoset me një nënshkrim, po na qet telashe e po na bën dëme për më shumë se një dekadë, po pengon e dekurajon bijat e këtij populli për të manifestuar besimin e tyre dhe arsimimin, por imagjinoni pasojat e një mori ligjesh, e një mori nenesh që prekin çdo familje, çdo person, pavarësisht besimin, ato synojnë ta dërrmojnë përtokë qytetarin e këtij vendi.
Por pse kërkojmë përkrahje në këtë qytet, ngase Gjakova nuk është vetëm një qytet, por simbol i guximit, sakrificës dhe vizionit. Ju keni treguar gjithmonë se kur familja është e fortë, shpresa është e fortë, dhe kur vlerat janë të pastra, asnjë pengesë nuk është e pakalueshme.
A është e lehtë? Jo. Por kur ka qenë ndonjëherë lehtë për Gjakovën?
Në çdo hap të historisë, ky qytet ka dëshmuar se e pamundura është vetëm një fjalë për ata që nuk guxojnë.
Sot, ju ftoj të mos më shihni vetëm si një kandidat, por si një bashkëluftëtar i juaji që ka ndarë me ju plagët e luftës dhe dhimbjet e pasluftës. E dijmë mirë se çfarë do të thotë të luftosh për një tokë, për një flamur, për një familje. E sot, kemi një betejë tjetër – jo me armë, por me guxim, me punë dhe me besim.
Prandaj, sonte nuk ju kërkoj vetëm mbështetje. Ju kërkoj diçka më të thellë – të ngremë zërin si një trup i vetëm që me këmbëngulje kërkon jo ta fitojë, por ta ruajë familjen që ka krijuar Zoti prej zanafillës e deri më sot. Jo vetëm të mbështetni me vote, por të ftoni cdo qytetar ta bëj të njejtën.
Prandaj kësaj radhe po bëjmë një thirrje për ndryshim të vërtetë, një thirrje për ta kthyer fuqinë tonë si komunitet, si qytetarë, si familje të këtij vendi.
Çdo fjalë e thënë në këtë fushatë do të mbështetet nga vepra. Nga familja, tek reformat në arsim dhe shëndetësi, për të krijuar parakushte për zhvillimi ekonomik e mundësi për të rinjtë tanë.
Kjo nuk është një garë tipike, as personale e as për programe politike – kjo është një betejë për një të ardhme më të mirë për ju, për një siguri minimale për fëmijët tuaj dhe për brezat që do të vijnë.
Prandaj, ju ftoj sonte: Bashkohuni me ne në këtë rrugëtim për ta ndryshuar Kosovën. Le të jemi zëri që askush nuk mund ta heshtë, forca që askush nuk mund ta ndalë dhe drita që do të ndriçojë të ardhmen e këtij vendi.
Zoti e bekoftë Gjakovën, Zoti e bekoftë Kosovën!
Bashkë do të fitojmë! 🇽🇰