Të dashur qytetarë të Mitrovicës,
Sot, në zemrën e Mitrovicës, po e ndjej pulsin e historisë dhe shpresën për të ardhmen.
(Ju falënderoj nga zemra për këtë pritje dhe për shpirtin tuaj durimtar – nëse ka shumë njerëz e thua, ndryshe e eliminon.)
Sot po flasim në zemrën e një qyteti që gjithmonë ka qenë simbol i besimit, kulturës dhe dijes – një qytet që ngrihet krenar mbi pasuritë e tij natyrore, historinë e tij kombëtare dhe industriale. Këtu, çdo gur dhe çdo punëtor kanë qenë dëshmi e forcës dhe vullnetit për të ecur përpara.
Por mbi të gjitha, Mitrovica është qyteti ku familja ka qëndruar si baza e çdo suksesi. Pavarësisht sfidave dhe stuhive që kanë goditur këtë tokë, familja ka funksionuar si ura që i lidh të gjitha – nga dija te besimi, nga industria tek kultura.
Pa një familje të fortë nuk ka siguri, nuk ka ekonomi të qëndrueshme, nuk ka kulturë të gjallë dhe nuk ka përparim të qëndrueshëm. Sot, më shumë se kurrë, familja ka nevojë për mbrojtje dhe forcim, sepse nuk mund të mbrohet as kufini as besimi nëse prishet familja.
Fati i Mitrovicës është i lidhur ngushtë me fatin e familjes. Dhe fati i familjes në Mitrovicë, është fati i Kosovës. Pa familjen e fortë, themelet e shoqërisë sonë dridhen.
E dimë mirë se çdo pasuri, çdo resurs mbetet i cenueshëm pa mbrojtjen e një familjeje të fortë dhe të bashkuar. Sot ju bëj thirrje të bëhemi mburoja që ruan vlerat dhe pasuritë tona, për një të ardhme më të ndritur për fëmijët tanë dhe për Kosovën!
Por këtë nuk mund ta bëjmë vetëm. Ju ftoj jo vetëm të na votoni, se vetëm vota e juaj nuk mjafton, por të na bashkoheni në këtë kauzë të përbashkët, të bëheni thirrësa të shpresës, vullnetarë të angazhuar që hyjnë derë më derë, që flasin me çdo mik e farefis, për të mbledhur çdo votë që na çon drejt fitores. Ashtu siç rrjedh Ibri e Sitnica, le të rrjedh përkrahja e fitorja nga Mitrovica.
Faleminderit, Mitrovicë!