Të nderuar familjarë, miq dhe bashkëqytetarë, të familjes së madhe të Kosovës!
Sot, në këtë ceremoni madhështore të hapjes së fushatës sonë, zemra më rreh fort nga emocionet dhe shpresa. Shpresa për një Kosovë ku familja vazhdon të mbetet themeli i çdo gjëje, ku vlerat tona të trashëguara brez pas brezi ndriçojnë rrugën tonë drejt së ardhmes. Ky koalicion politik, kjo pjesëmarrje e juaja janë dëshmi se Familja e ka forcën e saj brenda vetes për ta shëruar dhe lartësuar deri aty ku s’mund ta lëndojë asnjë forcë politike, e asnjë agjendë degraduese.
Të nderuar, unë, Fatmir Smajli, qëndroj para jush jo vetëm si kandidat dhe kryetar i grupit të ekspertëve, por si një bir i këtij vendi, si një bashkëudhëtar në këtë rrugëtim të gjatë dhe sfidues. Që nga rinia ime, kam besuar në forcën e komunitetit, në fuqinë e bashkimit përballë çdo sfide. Këtë besim e kam ushqyer nëpër vite, duke i shërbyer atdheut në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kontribuar në fushën e biznesit, shoqërisë civile dhe aktivizmit humanitar.
Sot, më shumë se kurrë, ne ndodhemi në një udhëkryq të rëndësishëm. Ajo që po ndodh në botë, ajo që po ndodh në vendin tonë dhe sfidat e kohës moderne po tentojnë të minojnë themelet e shoqërisë sonë: familjen. Por ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë! Sepse familja nuk është thjesht një grup individësh, ajo është zemra e kombit tonë, është trashëgimia jonë më e çmuar, është forca që na ka mbajtur gjallë në shekuj.
Le të kujtojmë së bashku historinë tonë të lavdishme. Cfarë ndodhi pas vitit 1912, nën pushtimin e parë jugosllav, mandej nën komunizmin brutal të Serbisë, e krejt ne fund me gjenocidin e Millosheviqit, Kosova jonë u lakua e u lëndua, por nuk u përkul dhe nuk u thye. Dhe e dini pse? Sepse familja, si një fortesë e pathyeshme, ruajti vlerat tona, traditat tona, shpirtin tonë kombëtar. Ajo ishte burimi i shpresës dhe rezistencës sonë.
Dhe sot, në këtë epokë të re sfidash, ne duhet të ndjekim shembullin e paraardhësve tanë. Ne duhet të ngrihemi në këmbë për të mbrojtur familjen, këtë institucion të shenjtë që na ka bërë ata që jemi sot. Sepse familja nuk mbrohet individualisht, ajo mbrohet duke u bashkuar, duke u bërë një zë i vetëm, një forcë e pandalshme.
Prandaj, sot ju ftoj të gjithëve të bashkohemi në këtë koalicion për familjen. Ju ftoj të bëheni thirrës të kësaj kauze, vullnetarë të palodhshëm, aktivistë që trokasin në çdo derë, që kontaktojnë çdo mik, e mikeshë, shok e shoqe, farefis të afërt e të largët, duke përhapur mesazhin tonë të shpresës dhe bashkimit.
Le të shndërrohemi në një ushtri të paarmatosur, por të mbushur me dashuri dhe përkushtim, për të mbrojtur atë që na bën të veçantë, atë që na bën shqiptarë: familjen tonë! Le të punojmë së bashku për një Kosovë ku familja është në qendër të çdo politike, të çdo vendimi, të çdo ëndrre.
Me besim në Zotin dhe bekimin që ai i dha bashkimit, le të fitojmë këtë betejë për familjen, për Kosovën, për të ardhmen tonë!
Zoti e bekoftë Kosovën dhe familjet tona!